TEB Stars

e-Banking Login

Individual Biznes

e-Banking Login

Individual Biznes


05/11/2015

USAID dhe TEB nënshkruan marrëveshje 1.7 milion dollarëshe

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, i shoqëruar nga drejtori i misionit të USAID-it, James Hope, si dhe kryeshefi ekzekutiv i bankës TEB, Ayhan Albeyoglu, kanë nënshkruar të enjten në Mitrovicë fillimin e Autoritetit për Kredi Zhvillimore (DCA) në mes të USAID-it dhe TEB Bank.




Gjatë kësaj ceremonie që u mbajt në hapësirat e Ndërmarrjes Agro Serra, u tha se DCA e re me Bankën TEB do të garantojë 50 për qind nga vlera totale prej 1.7 milion dollarë amerikanë, në kredi të reja për gratë e kualifikuara në Kosovë.

Disa prej këtyre grave do të ushtrojnë veprimtarinë brenda shtëpisë së kredimarrëses duke ofruar shërbime si qepje apo punë dore, ndërsa të tjerat do të merren me aktivitete bujqësore në shkallë të vogël, tregti me pakicë, ose do të jenë dyqane me veprimtari shërbyese.

Ambasadori Delawie tha se sektori privat i Kosovës ka potencial për ta shtyrë zhvillimin e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të punës.

Ai shtoi se Kosova ka nevojë për shumë më shumë gra udhëheqëse dhe pronare të bizneseve, sepse roli i grave në ekonomi është shumë i madh.

Anë e mbanë botës hulumtimet dhe përvojat kanë treguar sipas Delawie se vendet ku gratë marrin pjesë plotësisht në ekonomi, kanë rritje më të mirë ekonomike dhe shkallë më të lartë të punësimit.

-Vetëm në SHBA bizneset në pronësi të grave kontribuojnë në ekonomi me pothuajse 3 trilionë dollarë dhe janë përgjegjëse për 23 milionë vende punë. Për këtë arsye ngjarja e sotme është aq shumë e rëndësishme sepse ky mekanizëm për kreditë zhvillimore e cila është në vlerë prej 1.7 milion dollarë, si dhe partneriteti ndërmjet bankës TEB dhe USAID-it, përqendrohet veçanërisht në fuqizimin ekonomik të grave-, ka thënë Delawie.

Kryeshefi ekzekutiv i bankës TEB, Ayhan Albeyoglu, u shpreh i lumtur për nënshkrimin e sotëm, duke falënderuar USAID-in për mbështetjen aktive në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës.

-Së bashku ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë, veçanërisht në fushën e agrobiznesit….Ky është një program në mes të USAID dhe TEB bankës për gratë ndërmarrëse. Jam i lumtur që jam këtu sot në këtë ceremoni të nënshkrimit të programit. Siç e dini TEB është një nga bankat më dinamike në Kosovë, e cila e ka dëshmuar veten me njohuritë në treg. USAID është një përkrahës aktiv i zhvillimit ekonomik të Kosovës. Se bashku, ne kemi shumë bashkëpunim, shumë të mirë, veçanërisht në agrobiznes-, tha Albeyoglu.

Ndërkaq, përfaqësuesja e Ndërmarrjes Agro Serra Emi Hajzeri, ka bërë të ditur bashkëpunimin e mirë dhe mbështetjen e vazhdueshme të USAID-it ndaj bizneseve të ndryshme.

-Unë dhe familja ime, posaçërisht nëna ime, e cila sot nuk është këtu, jemi të lumtur që keni zgjedhur fermën tonë për të realizuar këtë ceremoni. Agro Serra ka pasur gjithmonë bashkëpunim me USAID-in përmes projekteve të ndryshme dhe bujqësisë, dhe për këtë ju falënderojmë-, tha Hajzeri.


© TEB ShA