TEB Stars

e-Banking Login

Individual Biznes

e-Banking Login

Individual Biznes


21/07/2016

TEB SH.A. sponsori i parë gjeneral i kombëtares së Kosovës

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) në një konferencë për media të organizuar sot e ka prezantuar TEB Sh.A. sponsorin e parë gjeneral të Kombëtares së Kosovës në basketboll për kualifikimet e Euro 2017.




TEB Sh.A. ka vendosur ta mbështesë fuqimisht Kombëtaren e Kosovës në kualifikimet historike për Eurobasket 2017.
Drejtori i përgjithshëm i TEB Sh.A., Ayhan Albeyoglu dhe nga anëtari i Bordit të FBK-së, Valton Bilalli kanë nënshkruar kontratën.
Përveç nënshkrimit të marrëveshjes së sponsorizimit ndërmjet FBK-së dhe TEB Bank, në këtë konferencë është prezantuar edhe fanella e Kombëtares së Kosovës, të cilën e bëri basketbollisti Dardan Berisha.
Ayhan Albeyoglu, drejtor i përgjithshëm i TEB Sh.A. është shprehur i kënaqur me përkrahjen që do t’I japin basketbollit të Kosovës.
“Për ne si bankë është kënaqësi e madhe ta mbështesim një federatë të organizuar dhe një federatë që pritoritet e ka zhvillimin e basketbollit ndër gjenerata të reja, por edhe të nivelit kombëtar. Tri vitet e fundit ne e kemi mbështetur FBK-në për të zhvilluar basketbollistët dhe basketbollistet e reja nëpërmjet ligave të grupmoshave të reja dhe besoj se kjo ka pasur sukses shumë më shumë sesa që kemi pritur të dyja palët dhe kjo gjë na gëzon tej mase”, tha ai.
“Tani pas pranimit të FBK-së në FIBA ka ardhur koha që bashkëpunimin tonë ta thellojmë edhe më shumë, andaj edhe kemi vendosur ta përkrahim Kombëtaren e Kosovës në kualifikimet historike për Kampionatin Evropian dhe urojmë shumë që bashkërisht të kemi sukses”.
“Ne jemi shumë krenarë që na është dhënë mundësia të jemi sponsori i parë i Kombëtares së Kosovës në këtë rrugëtim të rëndësishëm jo vetëm për basketbollin dhe sportin kosovar, por edhe për shoqërinë kosovare në përgjithësi”, tha Albeyoglu.

Bilalli falënderoi TEB Sh.A. për pëkrahjen që I ka dhënë basketbollit vendor në vazhdimësi.
“TEB Bank edhe më parë e ka përkrahur Federatën e Basketbollit të Kosovës, më saktësisht zhvillimin e basketbollit ndër gjenerata të reja dhe falë kësaj ne kemi rritje për 250% të ekipeve të kategorive të reja. TEB Bank po ashtu vitin e kaluar e ka mbështetur Përfaqësuesen U-16 të Kosovës në konkurrencën e meshkujve, e cila ka qenë e para që e ka prezantuar vendin tonë në gara të FIBA-s, pra në Kampionatin Evropian U-16, Divizioni C, ku është stolisur me medaljen e argjendtë”, tha Bilalli.
“Ndërkaq tani kjo bankë ka vendosur të përkrah Kombëtaren A të Kosovës në kualifikimet për Kampionatin Evropian. Ne si federatë jemi shumë të lumtur që e kemi arritur këtë marrëveshje që për ne do të thotë shumë në këtë fazë të rëndësishme të prezantimit të basketbollit kosovar në arenën ndërkombëtare. Me këtë rast ne i ftojmë të gjithë qytetarët, tifozët, sponsorët të na përkrahin sa më shumë duke marr parasysh faktin se ne kemi nevojë sa më shumë për mbështetje nga të gjitha anët. Ne po bëjmë përpjekje të përgatitemi sa më mirë së pari për ndeshjet miqësore, ku në muajin gusht do t’i zhvillojmë 10 sosh dhe më pas edhe për ndeshjet kualifikuese që do t’i luajmë prej 31 gusht deri më 17 shtator. Kombëtarja ka filluar të kompletohet, të gjithë basketbollistët vendor janë këtu, ndërsa së shpejti do të na bashkangjiten edhe lojtarët e natyralizuar në krye me Justin Doellman-in”.

Dardan Berisha, basketbollist i Kombëtares së Kosovës tha se atsmofera në ekip është e mirë.
“Atmosfera në skuadër është shumë e mirë. Të gjithë lojtarët vendorë jemi duke punuar me vullnet të madh dhe tani po presim të na bashkohen edhe basketbollistët e natyralizuar dhe kështu të kompletohemi. Ne jemi të vetëdijshëm për gjithë atë që na pret, andaj edhe kemi filluar më herët me përgatitjet e përbashkëta. Intensiteti i punës po rritet nga ditë më ditë dhe besoj se do të jemi të gatshëm së pari për ndeshjet miqësore dhe më pas edhe për ato kualifikuese”.
“Këto kualifikime janë historike për Kosovën, por edhe nuk do të jetë aspak lehtë, pasi dihet se grupi ynë është shumë i vështirë. Po ashtu ne na mungon përvoja, por do të mundohemi ta kompensojmë me punë dhe angazhim maksimal në parket. Jam i bindur se për të gjithë ne është krenari prezantimi i shtetit tonë në gara të nivelit të tillë siç janë kualifikimet për Eurobasket 2017”, tha Berisha.
Kosova ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian do ta luaj kundër Sllovenisë si mysafire më 31 gusht. Ndërkaq ndeshjen e dytë Kosova do ta luaj si nikoqire më 3 shtator kundër Ukrainës, kurse më 7 shtator është mysafire e Bullgarisë, derisa më 10 shtator e pret Slloveninë, pastaj udhëton në Ukrainë më 14 shtator dhe ndeshjen e gjashtë e të fundit në kuadër të këtyre kualifikimeve do ta zhvilloj si nikoqire më 17 shtator ndaj Bullgarisë.


© TEB ShA