TEB Stars

e-Banking Login

Individual Biznes

e-Banking Login

Individual Biznes


02/08/2016

Kosova e gatshme për sfida të Euro 2017

Kur kanë mbetur vetëm edhe 30 ditë deri te ndeshja e parë kualifikuese për Eurobasket 2017, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) e ka bërë prezantimin e parë zyrtar të Kombëtares A në opinion, pra para medieve, sponsorëve, dhe Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS).




Prezantimi i Kombëtares A të Kosovës është bërë në një konferencë për media të organizuar nga FBK të hënën në hotel “Swiss Diamond Prishtina” që është edhe një nga sponsorët e federatës, ndërsa të pranishëm ishin krahas medieve, edhe sponsorët e tjerë, si dhe ministri i sportit, Kujtim Shala.

Konferencën e hapi numri 1 i FBK-së, Erolld Belegu, derisa në lidhje me përgatitjet si ato organizative ashtu edhe ato profesionale kanë folur edhe drejtori i Kombëtares, Arben Fetahu, pastaj përzgjedhësi i Kosovës, Arben Krasniqi, si dhe basketbollistët Justin Doellman, Edmond Azemi dhe Dardan Berisha.

Erolld Belegu, kryetar i FBK-së: “I falënderoj të gjithë të pranishmit. Po ashtu dua të falënderoj edhe një herë të gjithë ata që po na përkrahin në përgatitjet për kualifikimet për Eurobasket 2017, duke filluar nga mediat, sponsorët dhe nga institucionet tona. Po ashtu dua të falënderoj edhe shtabin teknik të Kombëtares, drejtorin dhe basketbollistët për mundin dhe angazhimin që e kanë treguar për t’u përgatitur sa më mirë për kualifikimet për Kampionatin Evropian”. “Do të jetë një ditë e shënuar pjesëmarrja jonë në këto kualifikime. Ne e kemi bërë të qartë se nuk do të jemi vetëm pjesëmarrës, por ambiciet tona janë reale, pra do të luftojmë deri në fund. Së bashku me të gjithë ata që po na përkrahin ne do të shkojmë drejt suksesit, e suksesi ynë është të luajmë sa më mirë, e pse jo edhe të besojmë edhe më shumë. Grupi është shumë i fortë, por ne do të përgatitemi për të bërë më të mirën”.
“I ftoj të gjithë njerëzit kudo në Kosovë, por edhe jashtë që të na përkrahin. Ne po punojmë shumë, por në të njëjtën kohë kemi nevojë për përkrahje edhe më të madhe institucionale. Fanellat e Kombëtares do të dalin në shitje deri në fund të javës dhe kjo është një tjetër mënyrë që përkrahësit tanë të na ndihmojnë me blerjen e tyre”.
Arben Fetahu, drejtor i Kombëtares: “Kombëtarja i ka filluar përgatitjet më 7 korrik me fazën përgatitore që është zhvilluar në Prishtinë dhe që nga dita e enjte na pret një agjendë e ngjeshur jashtë vendit. Së pari do të udhëtojmë për në Estoni, më pas në Itali dhe në fund në Qipro. Nëpër të gjitha këto vende ne do të marrim pjesë nëpër turne apo ndeshje miqësore, ku do të kemi rastin që të rrisim nivelin e lojës tonë. Gjatë fazës përgatitore në Prishtinë të gjithë basketbollistët e kanë dhënë maksimumin dhe përkushtimi i tyre në çdo seancë stërvitore është mbresëlënës”.
Arben Krasniqi, përzgjedhës i Kosovës: “Që nga data 7 korrik i kemi zhvilluar gjithsej 33 seanca stërvitore. Së pari në përgatitje kanë qenë basketbollistët vendorë, ndërsa më pas na janë bashkangjitur edhe tre të huajt. Fatkeqësisht disa lojtarë shqiptarë që jetojnë jashtë Kosovës nuk kanë mundur të na bashkëngjiten, disa për arsye objektive e disa për subjektive, por e rëndësishme është se asnjëri prej tyre nuk kanë thënë që kurrë nuk do të luajnë për Kosovën, andaj shpresojmë se në të ardhmen do të na bashkëngjiten”.
“Për ne është e rëndësishme ta ndërtojmë strukturën e Kombëtares dhe të gjithë kur e kemi nisur këtë projekt edhe kemi besuar në një gjë të tillë. Unë i falënderoj të gjithë për mbështetjen e parezervë, por njëkohësisht dua t’i falënderoj lojtarët për punën dhe angazhimin e madh që po e bëjnë në çdo stërvitje”.
Justin Doellman, basketbollist i Kombëtares së Kosovës: “Për mua kjo është një eksperiencë krejtësisht e re dhe unë jam shumë i lumtur që më është dhënë rasti të luaj për Kosovën dhe të ndihmoj një shtet të ri si Kosova. Po punojmë shumë që të gjithë dhe shpresoj se do të bëjmë diçka speciale”.

Edmond Azemi, basketbollist i Kombëtares së Kosovës: “Kjo është hera e parë që Kosova po luan në kualifikime për Eurobasket 2017 dhe ne premtojmë se do të bëjmë më të mirën. Në përgatitje të gjithë po e japim maksimumin, të gjithë po sakrifikojmë dhe këtë po e bëjmë për ngjyrat e shtetit të Kosovës. Falenderoj federatën për punën e madhe që po e bënë për të na siguruar kushte sa më të mira për punë”.
Dardan Berisha, basketbollist i Kombëtares së Kosovës: “Për mua është mburrje dhe krenari prezantimi i Kosovës në gara të nivelit të tillë si kualifikimet për Eurobasket 2017. Secili prej nesh e di përgjegjësinë e vet, andaj që nga fillimi jemi mobilizuar dhe në çdo stërvitje e kemi dhënë maksimumin. Unë edhe më parë kam pasur eksperienca të tilla, por kjo është krejtësisht ndryshe, sepse tani po bëhet fjalë për prezantimin e shtetit tim. Grupi ynë në kualifikime është shumë i vështirë, të gjithë jemi të vetëdijshëm për një gjë të tillë, por unë besoj në këtë grup që e kemi krijuar, andaj edhe premtoj se do të angazhohemi maksimalisht në parket. I ftoj të gjithë tifozët anekënd Kosovës që të na përkrahin në kualifikime, sepse ne kemi nevojë për mbështetjen e tyre. Bëhet fjalë për diçka historike, andaj edhe duhet të mobilizohemi ta bëjmë të tillë”.
Duhet theksuar se Kosova ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian do ta luaj kundër Sllovenisë si mysafire më 31 gusht. Ndërkaq ndeshjen e dytë Kosova do ta luaj si nikoqire më 3 shtator kundër Ukrainës, kurse më 7 shtator është mysafire e Bullgarisë, derisa më 10 shtator e pret Slloveninë, pastaj udhëton në Ukrainë më 14 shtator dhe ndeshjen e gjashtë e të fundit në kuadër të këtyre kualifikimeve do ta zhvilloj si nikoqire më 17 shtator ndaj Bullgarisë.


© TEB ShA